Fundi i heshtur i premtimit për afrimet e reja dhe përse Zeqiri, Toma, Berisha & co. nuk mund të luajnë për Kosovën

Forumi Dardan
5 min readApr 1, 2021

Pas dy humbjeve rresht të ekipit kombëtar të Kosovës, një lajm i keq vjen nga FIFA që shpërthen balonën e proklamuar me shumë pompozitet nga FFK për afrime të reja. Mbështetur në nenin 9, pikën b (III) të Rregulloreve për Menaxhimin e Aplikimit të Statuteve (të përditësuar më 2020), sipas së cilës një lojtar mund të bëj kërkesë për ndryshim të ekipit përfaqësues, ndër të tjera, nëse “në kohën e paraqitjes së fundit në fushë në një ndeshje zyrtare futbollistike të çfarëdo niveli për kombëtaren aktuale, nuk është akoma 21 vjeç”, FIFA ka refuzuar lejen për kalimin e Nedim Bajramit nga Zvicra U21 te Shqipëria. Pra, rregullorja e thotë se në rast se një lojtar pasi mbush 21 vjeç, luan me një kombëtare 1 ose më shumë ndeshje, qoftë ajo edhe e 21-vjeçarëve, atëherë nuk mund të ndryshojë kombëtaren dhe të luajë me një tjetër. Ky padyshim është një lajm i keq së pari për lojtarin, që për dallim nga shumë të tjerë refuzoi mundësinë për të luajtur me Zvicrën në kampionatin evropian U21 dhe zgjodhi Shqipërinë.

Deri më 18 shtator, 2020, rregulli për ndërrim të ekipit kombëtar ka qenë më i thjeshtë dhe njëherësh më rigoroz. Kriteri kryesor ka qenë që lojtari në fjalë nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje zyrtare për ekipin senior para parashtrimit të kërkesës (që mund të bëhet vetëm njëherë) për ndryshim të ekipit kombëtar, por pa e kufizuar këtë në aspektin e moshës. Me rregullat e reja, lojtari që ka luajtur për një ekip të moshave (p.sh. U19/U21) mund të ndërrojë ekipin kombëtar (vetëm një herë) nëse ndeshjen e fundit zyrtare me ekipin e tij aktual e ka luajtur para moshës 21 vjeçare. Nëse lojtari në fjalë luan për ekipin e tij të grupmoshave të reja (pavarësisht që nuk është ekipi senior) pasi ka mbushur 21 vjet, ai automatikisht e humb të drejtën për të ndryshuar ekip. Kështu ka ndodhur me rastin e Nedim Bajramit, i cili ndeshjen e fundit zyrtare me U21 të Zvicrës e ka luajtur më 16 nëntor 2020 (kundër Francës U21) pasi ka mbushur 21 vjet.

Gjithsesi, një tjetër rregull i ri që mund t’i shërbejë Kosovës në të ardhmen, lejon lojtarët që të ndryshojnë ekipin kombëtar (vetëm një herë) nga X në Y edhe nëse kanë luajtur me ekipin senior të kombëtares X, me kushtin që:

a) nuk kanë zhvilluar më shumë se tri ndeshje;

b) ato të jenë zhvilluar para moshës 21 vjeçare;

c) këto ndeshje nuk kanë qenë në kampionat kontinental ose botëror.

Pra, në të ardhmen, Kosova mund të afrojë lojtarë me origjinë kosovare edhe nëse kanë debutuar me ekipin e parë të një kombëtare tjetër me kushtin që nuk janë paraqitur më shumë se 3 ndeshje për kombëtaren në fjalë dhe para se të kenë mbushur 21 vjet. Nëse një lojtar luan një ndeshje zyrtare, qoftë me ekipin U21 qoftë me ekipin senior, atëherë ai përfundimisht e humb të drejtën për ndryshim të ekipit kombëtar.

Rregulli tjetër i ri i lejon lojtarit të drejtën e ndryshimit të mendjes dhe kthimit në ekipin kombëtar të origjinës edhe pas aprovimit të kërkesës për ndryshim të ekipit kombëtar me kushtin që nuk ka luajtur në asnjë ndeshje zyrtare ose jo-zyrtare për kombëtaren e sapozgjedhur. Në rastin konkret, Betim Fazliji, i cili ka marrë lejen nga FIFA për të kaluar nga Zvicra U21 te ekipi senior i Kosovës, hipotetikisht do të kishte mundësi të bënte kërkesë të kthehej përsëri te Zvicra nëse nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje me Kosovën. Mirëpo, në këtë rast, Fazliji nuk mund të bëjë një kërkesë të tillë për shkak se është paraqitur në ndeshjen miqësore kundër Shqipërisë vitin e kaluar. FIFA ka publikuar një Udhëzim dhe një Komentar lidhur me rregullat dhe procedurat për ndërrim të ekipit përfaqësues nga lojtarët, që është i qasshëm për këdo në faqen e saj zyrtare të internetit.

Por, më me rëndësi, ky ndryshim rregullash përbën një lajm të madh e të hidhur. Lojtarët e shumëdëshiruar, e për të cilët ka disa vite që FFK premton se do të vijnë ‘së shpejti’ — Mërgim Berisha, Andi Zeqiri, Bastien Toma dhe Toni Domgjoni — e kanë humbur të drejtën të ndërrojnë kombëtaren, ngase që të gjithë janë paraqitur për ekipin akual (Gjermaninë U21, respektivisht Zvicrën U21) në kampionatin evropian U21 (që po mbahet aktualisht), pasi janë bërë 21 vjeç. Kësisoji, ata s’kanë të drejtë të ndërrojnë kombëtaren, ani se nuk janë paraqitur për ekipin A të kombëtares aktuale.

Pra, shuhet ëndrra për t’i parë këta në fanellën dardane. I vetmi lojtar nga ky grup që akoma mund të zgjedhë Kosovën është Kastriot Imeri, që është nën moshën 21 vjeçare. Me këtë i vjen fundi edhe sagës së ‘prurjeve të reja’ dhe fushatës pa fund e pa mbulesë të FFK-së se do ketë afrime ‘së shpejti’. Tragjedia më e madhe në këtë mes është padituria e zyrtarëve të FFK-së që si duket as nuk janë të vetëdijshëm për këtë rregull. Do të ishte mirë që të kërkojnë një sqarim zyrtar nga FIFA para se të marrin udhën (përsëri) për Evropë dhe të na servojnë lajme e foto bajate për ‘prurjet e reja’.

Ky është edhe një mësim i mirë edhe për disa nga lojtarët në fjalë që e kanë keqpërdorur ekipin e Kosovës për promovim personal dhe si mjet presioni për të marrë një ftesë nga kombëtarja e tyre e ëndërruar (Zvicra apo Gjermania) dhe të tjerë si këta që mund të bëjnë një gjë të tillë në të ardhmen. Mungesa e sinqeritetit dhe loja me shumë karta me gjasë do të bëjë që karriera në kombëtare e disave nga ta të përfundojë para kohe dhe në mënyrë të palavdishme: të moshuar për të vazhduar tutje me grupmosha të reja, të padenjë për ekipin kombëtar senior helvetik apo gjerman dhe në pamundësi të përdorin ‘atdheun rezervë’ (Kosovën ose Shqipërinë). Gjithsesi, mund të ngushëllohen me fanellat e kombëtareve të vogla (grupmoshave) të ëndrrave të mëdha si kujtim.

Urojmë që të paktën Elvis Rexhbeçaj (në rast se nuk paraqitet për Gjermaninë në Lojërat Olimpike këtë verë), Meritan Shabani (që ndeshjen e fundit me U20 të Gjermanisë e ka para moshës 21 vjeçare), Lorik Emini, Kastriot Imeri e Orges Bunjaku të afrohen sa më parë. Gjithsesi, ky është një mega-dështim i FFK-së, që përkundër rritjes enorme të stafit, nuk ka një zyrtar të mirëfilltë ligjor që di t’i lexojë dhe interpretojë rregullat e FIFA-së. Fatkeqësisht, falë ‘vizionit’ të FFK-së, e ardhmja e kombëtares së Kosovës në futboll është më e paqartë se kurrë që nga viti 2016.

--

--